Konkurs kreativ në multimedie arte figurative

  • 21 July, 2020

Pas dy konkurseve të suksesshëm Lindur në 90-ën (2015) dhe katër edicioneve të Pyet Gjyshërit (2016–2019), Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) vjen me konkurs të ri:

30 VJET ME PA DEMOKRACI

Në këto 30 vitet e fundit, Shqipëria ka qenë në një proces tranzicioni të vazhdueshëm, kulturor, ekonomik dhe politik që është shoqëruar herë pas here me eksode të forta emigracioni, me goditje të forta të demokracisë, por edhe me ndryshime pozitive në fushën e të drejtave të njeriut, në sfidën për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Konkursi i këtij viti synon të kthejë fokusin te zhvillimet e demokracisë shqiptare duke filluar nga viti 1990, i cili ka qenë i mbushur me një sërë ngjarjesh historike dhe politike: protestat e para kundër regjimit komunist në Shkodër, Kavajë dhe Tiranë dhe eksodi i shqiptarëve më 2 korrik 1990. E shkuara ndikon të tashmen, por edhe të ardhmen, prandaj duhet t'i kthehemi vazhdimisht, ta studiojmë dhe të mësojmë prej saj.

Përmes këtij konkursi, ne ftojmë të rinjtë të shpalosin në mënyrë kreative mendimet e tyre përmes:

Multimedies
Arteve figurative

se çfarë mund të ishte bërë më mirë këto 30 vjet dhe kush është vizioni i tyre për 30 vitet e ardhshme.

IDMC dëshiron t'i inkurajojë të rinjtë të reflektojnë mbi gabimet e së shkuarës që kanë ndikuar jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, por edhe të frymëzojnë me vizionin e tyre për një Shqipëri me të ardhme më të mirë.